NJOFTIM PËR MEDIAN
“Klubi Studentor” i Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës në bashkëpunim me Gjykatën e Lartë organizuan një praktikë mësimore në ambientet e gjykatës, pas përfundimit të ciklit të leksioneve që i përkasin organizimit dhe funksionimit të Gjykatës së Lartë. Studentët patën mundësinë të zhvillonin një bisedë me magjistratet Enisa Shahini dhe Iva Zemani, të cilat i njohën studentët me gjykimin në Gjykatën e Lartë, Rekursin (formën, përmbajtjen, ndryshimet ligjore, etj.). Historia e organizimit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri, prej vitit 1913 e deri në ditët e sotme, u soll për pjesëmarrësit nga specialisti i Qendrës së Dokumentacionit Oltion Musaj.
Pjesa më interesante, e cila mori vëmendjen dhe përkushtimin maksimal të studentëve të vitit të III dhe të IV, ishte dhe improvizimi i një seance gjyqësore mbi një rast gjyqësor penal, ku studentët u ndanë në rolin e gjyqtarit, prokurorit, avokatit dhe palës së mbrojtur.
Kushdo që ka interes për të vizituar Gjykatën e Lartë, (qytetarë, studentë, nxënës shkollash) duhet të regjistrohet në faqen zyrtare të kësaj gjykate www.gjykataelarte.gov.al/sq/akreditimi ku do të vendosë emrin dhe mbiemrin, adresën e emailit, si edhe një tekst të shkurtër mbi arsyen apo qëllimin e vizitës. Më pas stafi organizator, Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun, Median dhe me Jashtë, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për organizimin e vizitës.
Duke shpresuar se kjo mundësi do të shërbejë për të arritur qëllimin tonë, për një gjykatë më pranë publikut, më transparente dhe miqësore, ftojmë të gjithë të interesuarit të bëhën pjesë e saj.